Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës kundër projektit të kryetarit Përparim Rama për hapësirën e “Tulltores”.

Ata i kanë treguar Ramës prangat, teksa kryetari i Prishtinës doli para asamblistëve për ta paraqitur projektin.

VV-ja e kundërshton projektin me pretendimin se përmes tij toka komunale po i jepet një investitori privat në shfrytëzim për 50 vjet.

Rama, ndërkaq, ka thënë se prona nuk po falet dhe se toka do të mbetet pronë e Kryeqytetit.

Sipas tij, toka do t’i jepet në shfrytëzim investitorit për 50 vjet, ndërsa Komuna do të përfitojë rreth 1 milion euro në vit, apo mbi 50 milionë euro gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit.

“Toka mbetet pronë e Kryeqytetit. Jepet në shfrytëzim për me u zhvillu dhe, për këtë shfrytëzim, Kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit”, ka thënë Rama.

Ai ka deklaruar se pas përfundimit të 50 viteve, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar mbi të do t’i mbetet Kryeqytetit.

Projekti parasheh transformimin e hapësirës së “Tulltores” në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë, si dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.

Rama ka akuzuar kundërshtarët e projektit për dezinformim lidhur me pretendimet se toka po i jepet apo po i falet privatit.

“Kjo tokë nuk falet. Nuk po falet asnjë metër pronë komunale”, ka deklaruar ai.