Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar një Ligj të Ri për Gjykatën Speciale, i cili tha që do të hartohet nga Grupi Punues për Apelin në Hagë.

“Ne presim që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjellë draftin e parë. E ju e dini që në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare”, ka thënë Kurti në fjalën e tij në Kuvend.

“Aty janë që të gjithë bashkë dhe natyrisht që janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta ekspertë juridikë po e ndihmojnë grupin punues dhe ne e presim strategjinë në javën e ardhshme”.

Kurti tha që javën e ardhshme presin draftin e ri të Ligjit.

“Por, nga disa prej këtyre ekspertëve dhe ekspertë të tjerë, por edhe të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë presim gjithashtu që në javën e ardhshme të na e sjellin draftin e ri të një ligji të ri përkatës për Dhomat e Specializuara”.

“Ashtu që përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vij për diskutim dhe për miratim. Ajo përmbajtje të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë tonë në mënyrë që të ndihmohet drejtësia, e cila i ka munguar popullit tonë si askujt tjetër, por të cilën nuk ka kontribuuar që ta sjellë Gjykata Speciale me këtë qasje munoetnike”.