1 minutë e 55 sekonda kanë mjaftuar që të përfundojë seanca e 37-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Si 36 herët e kaluar, edhe kësaj radhe ka dështuar. Vetëvendosja, partia që i takon ekskluzivisht kreu i kuvendit, nuk është e interesuar për ta zgjidhur ngërçin e krijuar tash e katër muaj.
Në sallë ishin të pranishëm 98 deputetë. Pro votimit të Komisionit për Votim të Fshehtë votuan 52 ligjvënës. Kundër dhe abstenim nuk pati.
Para fillimit të seancës së Kuvendit, u mbajt edhe një protestë simbolike nga shoqëria civile në oborrin e ndërtesës së legjislativit. Ata kërkuan nga klasa politike që është pjesë e parlamentit të gjejnë një zgjidhje.
Mirëpo, përkundër kësaj proteste, që vjen pas asaj që organizoi për disa herë individualisht avokati, Arianit Koci, edhe kësaj radhe nuk pati efekt që deputetët të gjejnë një zgjidhje kompromisi.
Përveç se janë të painteresuar për zgjidhje, deputetë të VV-së edhe po ironizojnë në formë tallje me kolegët nga opozita.
Aktorja Ardiana Matoshi, e pati radhën të mërkurën. Grimin e përdori si ironi në raport me deputetët opozitarë.
“Opozita po vjen e nuk po voton, veç po iu shkon fenerimi huç”, tha Matoshi.
Përfaqësues të partive opozitare – PDK, LDK e AAK – po e fajësojnë VV-në për bllokadën e krijuar tash e disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Aktualisht palët nuk po tërhiqen nga qëndrimet e tyre: VV nuk largohet nga kandidatura e Haxhiut, ndërsa opozita e ka bërë të qartë se s’do ta përkrahin Ministren në detyrë të Drejtësisë.









