Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe lideri i Kinës, Xi Jinping, pritet të takohen këtë javë në Pekin për një samit me rëndësi të lartë që mund të përcaktojë fazën e ardhshme të rivalitetit mes dy fuqive kryesore botërore.
Trump dhe Xi pritet të diskutojnë luftën në Iran, tregtinë, Tajvanin dhe çështje të tjera përçarëse gjatë samitit dyditor që nis të enjten.
Trump dhe Xi u takuan për herë të fundit në tetor në Korenë e Jugut, ku ranë dakord të pezullonin një luftë të ashpër tregtare, gjatë së cilës SHBA vendosi tarifa trefishifrore ndaj mallrave kineze dhe Pekini kërcënoi të kufizonte furnizimin global me minerale të rralla.
Vizita e kësaj jave mund të përcaktojë nëse armëpushimi i brishtë që është krijuar që prej atij takimi do të vazhdojë, shkruan New York Times.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga takimi i fundit i dy liderëve.
Trump tani është i përfshirë në një luftë me Iranin, partnerin më të afërt të Kinës në Lindjen e Mesme, e cila ka shkaktuar një krizë globale energjetike dhe ka larguar asetet ushtarake amerikane nga Azia.
Lufta gjithashtu ka pakësuar rezervat amerikane të municioneve, duke ngritur dyshime tek disa analistë kinezë për aftësinë e SHBA-së për të mbrojtur Tajvanin, një partner i afërt i Uashingtonit.
Xi përballet me sfidat e tij, ndërsa përpiqet të menaxhojë ngadalësimin e rritjes ekonomike, çmimet më të larta të energjisë dhe mundësinë e një recesioni global që do të dëmtonte ekonominë kineze të varur nga eksportet.
Çfarë është në tryezë?
Trump dhe Xi ka të ngjarë të diskutojnë tregtinë, përfshirë investimet e mundshme në vendet e njëri-tjetrit. Uashingtoni ka theksuar atë që analistët e quajnë “Pesë B-të”. Këto përfshijnë blerjet kineze të avionëve Boeing, mishit të viçit dhe sojës amerikane, si edhe krijimin e një bordi investimesh dhe një bordi tregtie. Këto dy struktura do të përcaktonin fusha të shkëmbimit ekonomik mes SHBA-së dhe Kinës që nuk ngjallin shqetësime për sigurinë kombëtare.
Kinezët kanë theksuar “Tre T-të”: tarifat, teknologjinë dhe Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron pjesë të territorit të Kinës. Pekini ka të ngjarë të kërkojë zgjatjen e armëpushimit tregtar të vitit të kaluar dhe lehtësimin e kontrolleve të eksportit për gjysmëpërçuesit e avancuar që Kinës i duhen për të modernizuar sektorin industrial.
Xi, i cili i tha Trumpit në telefon në shkurt se vendi i tij “nuk do të lejojë kurrë që Tajvani të ndahet nga Kina”, pritet të kërkojë nga Trumpi të zbusë mbështetjen amerikane për ishullin vetëqeverisës.
Trump pritet gjithashtu t’i kërkojë Pekinit të bindë Iranin të rihapë Ngushticën e Hormuzit. Të dyja palët pritet të diskutojnë edhe bashkëpunimin për menaxhimin e rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale.
Trump ka deklaruar se do të ngrejë çështjen e aktivistit pro-demokracisë në Hong Kong, Jimmy Lai, i cili u dënua në shkurt me 20 vite burg për bashkëpunim dhe nxitje kryengritjeje. Çështje të tjera përfshijnë zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës, sigurinë në Detin e Kinës Jugore dhe reduktimin e trafikut të fentanylit drejt SHBA-së.
Cilat janë rezultatet e mundshme?
Trump është shprehur me mburrje për marrëdhënien e tij me Xi-n, të cilin e quan “mik”, dhe dëshiron të shpallë një rritje të investimeve kineze në SHBA.
Por pritshmëritë nuk janë të larta që të dyja palët do të arrijnë një marrëveshje të madhe ekonomike ose të zgjidhin dallimet e tyre të thella. Një rezultat më i mundshëm është një seri marrëveshjesh modeste për investimet dhe zgjatja e armëpushimit të përkohshëm tregtar të vitit të kaluar.
“Ndoshta nuk duhet të presim që ky takim të sjellë përparime të mëdha dhe thelbësore,” tha Zhao Minghao, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait, i cili shtoi se takimi do të shërbejë si pikënisje për më shumë angazhim.
Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se dy liderët mund të takohen katër herë këtë vit.
Analistët thonë se samiti është gjithashtu një mënyrë që të dyja palët të fitojnë kohë për të ulur varësinë nga njëra-tjetra ndërsa konkurrenca vazhdon.
“Brenda Kinës ekziston ende një ndjenjë e thellë mosbesimi ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha Bonny Lin, drejtoreshë e Projektit China Power dhe këshilltare e lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Çfarë mund të shkojë keq?
Përplasjet lidhur me luftën në Iran mund të minojnë bisedimet. Pa e përmendur Trumpin me emër, Xi muajin e kaluar kritikoi shpërfilljen e ligjit ndërkombëtar nga presidenti amerikan, duke e quajtur atë “rikthim te ligji i xhunglës”.
Ndërsa Kina po i shtyn zyrtarët iranianë të negociojnë me SHBA-në, ajo është përmbajtur nga ndërmarrja e hapave më të mëdhenj për të ndihmuar në zgjidhjen e luftës, të cilën Pekini e sheh si problem të Uashingtonit. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u takua javën e kaluar në Pekin me homologun iranian, Abbas Araghchi.
Wang bëri thirrje për më shumë përpjekje për hapjen e ngushticës, por gjithashtu tha se Kina mbështet “të drejtën legjitime të Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore”.
Por Trump deklaroi të enjten e kaluar se beson që Kina nuk ka ofruar më shumë mbështetje për pozicionin iranian për shkak të respektit ndaj marrëdhënies së tij me Xi-n.
Si Kina ashtu edhe SHBA-ja kanë forcuar armët e tyre të luftës ekonomike. Kur Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj një rafinerie kineze në prill për blerjen e naftës iraniane, Kina urdhëroi kompanitë e saj të mos i zbatojnë ato dhe nxori rregullore që u japin autoriteteve kompetenca për të hetuar kompani dhe qeveri të huaja.








