Protesta e studentëve në ditën e gjashtë është përshkallëzuar edhe më tej, pasi që Policia ka qëlluar në drejtim të protestuesve edhe me plumba gome.

Përveç plumbave të gomës, Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës, ujë e sprej për sy.

Nga ana tjetër, protestuesit kanë gjuajtur me gurë e molotov.

Në protestën e së dielës, protestuesit kanë shkuar edhe te selia e Partisë Socialiste, që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Në drejtim të selisë së PS-së, protestuesit kishin hedhur gurë, duke i thyer xhamat.

Nga ana tjetër, Policia u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.

Nga pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale, nga selia e PS-së kanë dalur disa persona – mes tyre ka pasur edhe me maska – me shkopinj në duar, duke iu vërsulur protestuesve.

Protesta e studentëve të Shqipërisë nisi të martën në Tiranë.

Studentët janë duke protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit qeveritar. Por, kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.

Protestat e dhunshme të studentëve vijnë pas disa muajsh demonstratash paqësore, të cilat kundërshtonin ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.