Një vepër muzikore që nxjerr në pah tmerrin dhe tragjedinë e luftës në Kosovë ka zënë vendin e parë në sondazhin më të madh vjetor të muzikës klasike në botë.

Bëhet fjalë për “The Armed Man: A Mass for Peace”, e kompozitorit Sir Karl Jenkins, që është renditur në vendin e parë në Classic FM Hall of Fame 2026, raporton BBC.

Autori i veprës që morri gati 90,000 vota të publikut duke folur në BBC Radio Wales, tha: “Mesazhi është ende po aq i rëndësishëm sot sa ishte para 25 vitesh,”

“Ka prekur shumë njerëz. Marr shumë mesazhe nga njerëz që janë të sëmurë dhe që po vdesin, njerëz me trauma në jetën e tyre, të cilët më kanë treguar për mbështetjen që u ka dhënë muzika” shtoi kompozitori.

Vepra është kompozuar në vitin 2000 dhe ishte porositur fillimisht në vitin 1998 si një meshë për të shënuar mijëvjeçarin.

Ajo është interpretuar mijëra herë në skena të ndryshme në botë.

Sir Karl Jenkins është kompozitori i parë i gjallë që arrin vendin e parë në këtë sondazh që nga fillimi i tij në vitin 1996.

“Është ndjenjë emirë të jesh gjallë dhe të marrësh çmimin, sesa të jesh i vdekur dhe ta marrësh atë” tha ndër të tjera autori për BBC Radio Wales.

Në renditjen e këtij viti, kompozitori kishte edhe katër vepra të tjera të përfshira: “Adiemus”, “Palladio”, “Gloria” dhe “Requiem”.