Seanca për zgjedhjen e Presidentit/es të Republikës së Kosovës ka gjasa të mbahet gjatë ditës së sotme, edhe pa një mbledhje formale të Kryesisë së Kuvendit.
Kështu të paktën sipas nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë, Emilja Rexhepi, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, në një prononcim për VOX Kosova.
Sipas saj, thirrja e seancës nuk kërkon domosdoshmërisht mbledhje të Kryesisë, pasi Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, thotë ajo, lejojnë që ajo të thirret me 40 nënshkrime të deputetëve.
“Jo, sot nuk kemi mbledhje të Kryesisë. Nuk kemi nevojë të mblidhemi për seancën. Me 40 nënshkrime mund ta thërrasim seancën pa Kryesi. Ndoshta mbahet sot; besojmë që së shpejti del Vetëvendosje me një qëndrim. Po presim brenda ditës. Kemi afat deri në orën 24:00. Patjetër duhet të jetë sot,” tha Rexhepi.
Megjithatë, ajo theksoi se deri në momentin e deklarimit nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar për kandidat nga Vetëvendosje.
“Jo, nuk kemi akoma asnjë kandidat zyrtarisht nga Vetëvendosje. Po presim edhe një orë e diçka”, shtoi ajo.
Emri i Andin Hoti është përmendur në disa raportime mediatike si një nga mundësitë për kandidat potencial, por deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga partia në pushtet.
Në faqen zyrtare të Kuvendi të Kosovës ende nuk është publikuar ndonjë njoftim për kohën e fillimit të seancës.
Sipas legjislacionit në fuqi, zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill.
Me afrimin e këtij afati kushtetues, mbetet të shihet nëse shumica parlamentare do të arrijë të konsolidojë mbështetjen e nevojshme për ta çuar procesin përpara brenda ditës, apo nëse vendi do të përballet me një tjetër moment pasigurie institucionale.









