Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë edhe 16 ditë afat për ta zgjedhur Presidentin. Nëse nuk e bëjnë deri atëherë, vendi do të shkojë në zgjedhje. Përkundër se afati po i afrohet fundit, partitë politike ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për këtë çështje. Madje, sipas deklarimeve që i kanë bërë, as nuk janë afër. Këtë javë janë paralajmëruar takime mes liderëve të partive për këtë temë.
Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.
Hera e fundit kur pati takime për Presidentin ishte e hëna e 6 prillit. Diskutuan Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi përfundoi pa asnjë rezultat. Të shtunën, Abdixhiku foli përsëri për këtë takim. Ai tha se nuk pranojnë që një parti, në këtë rast Vetëvendosja, t’i ketë tri pozitat kryesore shtetërore, derisa tregoi se nuk i mbështesin asnjërën nga kandidaturat e VV-së – Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun, të cilat theksoi se kanë qenë të vetmet që janë diskutuar në takimin e së hënës me Kurtin.
“Kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku, duke theksuar se nuk ka propozuar emra për President.
Abdixhiku paralajmëroi se këtë javë mund të ketë sërish takime me Kurtin. “Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera”, potencoi ai, duke mohuar kategorikisht mundësinë e vetëpropozimit për pozitën e Kryetarit të shtetit.
Se pritet të ketë takime këtë javë kanë paralajmëruar edhe nga VV-ja. Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci tha të premten e 10 prillit se për çështjen e Presidentit “shumë shpejt do të vazhdojmë me takime”, pa përmendur ndonjë ditë konkrete.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani, ku u konstatua se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur Presidentin, Kurti nuk është takuar me Kryetarin e partisë më të madhe opozitare, me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK ka thënë se po presin ftesë zyrtare nga Kurti, i cili, sipas tyre, ende nuk e ka bërë këtë lëvizje.









