Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar deputetin Albin Kurtin për formimin e Qeverisë, ka bërë të ditur Zyra e Presidentes.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.
Në njoftimin e Presidencës janë rikujtuar edhe një herë afatet kushtetuese që mandatari obligohet t’i respektojë gjatë formimit të Qeverisë.
“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, shkruhet tutje në njoftimin e Presidencës.
Osmani i ka uruar suksese Kurtit, të cilin ajo e ka quajtur kryeministër në detyrë, ndërsa ka thënë se shpreson që Kosova sa më parë të ketë qeveri me mandat të plotë kushtetues.