Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po kërkojnë zgjidhje për krizën institucionale në vend.
Në një përgjigje drejtuar Haxhiut, Gjini ka thënë se ajo nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës dhe, sipas tij, nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini.
Ai ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se ftesa për takim nuk është bërë me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën institucionale, por për të gjetur fajtorë për vendimin që, sipas tij, tashmë e kanë marrë për ta çuar vendin në zgjedhje.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka deklaruar Gjini.
Kryetari i Aleancës ka pretenduar se qëllimi i Vetëvendosjes është zvarritja e bllokadës institucionale deri në një datë që i konvenon kësaj partie për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet”, ka shkruar ai.
Gjini ka thënë se AAK-ja e ka kuptuar këtë qasje dhe nuk dëshiron t’i japë Vetëvendosjes atë që e konsideron “alibi” për situatën e krijuar.
“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka përfunduar Gjini.
Haxhiu gjatë ditës së djeshme u kishte bërë thirrje liderëve të partive politike për një takim të martën, duke thënë se ai synon të kontribuojë në dialogun politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.
Ftesa e Haxhiut erdhi një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se heq dorë nga partneriteti potencial për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe bëri thirrje për kandidatura konsensuale për president.









