Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për herë të parë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dhe se, së bashku me ekipin e saj, ka nisur punën që në ditën e parë për përgatitjen e hapave të mëtejshëm ligjorë.
“Jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të qeverisë. Unë me ekipin tim qysh në ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë”, tha Gërvalla.
Ajo deklaroi se çështja e Speciales është betejë ligjore dhe se duhet të përgatiten për instancën e ardhshme.
“Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë, por jemi duke i analizuar të gjitha rrethanat”, tha ajo.
Gërvalla gjithashtu mohoi të ketë pasur ndonjë lidhje me dëshmi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Nuk kam asnjë hallkë as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Specialen”, deklaroi ministrja.
Lidhur me kërkesat për dorëheqjen e saj, Gërvalla tha se secili ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij apo të saj.









