Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se puna e saj në javët e fundit është përballur me një fushatë baltosëse, që sipas saj, nuk ka të bëjë me kritikë apo llogaridhënie, por me përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit dhe dobësimin e demokracisë. Ajo këto komente i bëri gjatë konferencës hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026, duke iu referuar edhe kritika që ka marrë në rrjetet sociale nga përkrahës dhe pjesëtarë të pushtetit.

“Puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk ka kritikën. Nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është përpjekje për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij, për ta kthyer në objekt, për ta krahasuar me kafshët më të egra dhe për të zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, tha Osmani.

Ajo shtoi se përgjigjja ndaj këtyre sulmeve nuk duhet të jetë si viktimë, por si mbrojtëse e demokracisë: “Asnjëherë si viktima. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta humb rëndësinë, kur dinjiteti shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik.”

Presidentja theksoi gjithashtu rëndësinë e lidershipit të ndjeshëm ndaj gjinisë dhe rolin e institucioneve për të mbajtur përgjegjës ata që përdorin teknologjinë për propagandë dhe dezinformim: “Lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Kërkon institucione që nuk heshtin dhe që mbajnë përgjegjës ata që shfrytëzojnë dezinformimin përmes frikësimit.”

Osmani paralajmëroi se kjo nuk është më çështje personale, por një mesazh për të gjithë gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike: “Për gratë në politikë, ky është çmimi që duhet të paguash. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë që tregon se për çdo grua që hyn në jetën publike, ekziston një presion i vazhdueshëm.”

Ajo përfundoi duke nënvizuar se demokracia dobësohet gradualisht kur e vërteta relativizohet dhe shpifja shndërrohet në mjet kryesor: “Kur shpifja bëhet mjeti kryesor dhe dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë, demokracia nuk rrezikohet nga kriza e madhe, por dobësohet ngadalë.”