Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka komentuar rreth deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që ky i fundit i dha gjatë një paneli diskutimi me gazetarin greko amerikan, John Defterios, në margjinat e Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.
“E njoh z. Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpeshherë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri, ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas”, ka deklaruar Mitsotakis.
“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, qe deklarata e Ramës, e cila mori kritika të shumta në mediat greke.
Më pas, i pari i Qeverisë shqiptare shkroi një reagim në llogarinë e tij X, duke sqaruar se deklaratat e tij nuk kanë pasur asnjë tendencë, veç humorit miqësor.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi! Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”.