Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i lumtur që partia e tij ka fituar në shtatë komuna në zgjedhjet komunale, teksa ka thumbuar partitë e tjera që sipas tij janë bërë bashkë kundër Vetëvendosjes.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, shkroi Kurti në Facebook.
Po ashtu, ai ka falënderuar për pjesëmarrje në balotazhin e së dielës të gjithë qytetarët që kanë ushtruar të drejtën e votës.
“Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, shtoi Kurti.









