Oda Ekonomike Amerikane, ka bërë thirrje që pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së institucioneve të reja, çështja e përfshirjes së Kosovës në “infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan, të trajtohet me prioritet”.

“Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim”, thekson Oda Ekonomike Amerikane në thirrjen e saj.

Sipas së njëjtës, “diskutimi mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet në krahasimin e kostove fillestare të investimeve apo në opsionet e prezantuara deri më tani”.

“Politikat moderne energjetike kërkojnë një vlerësim gjithëpërfshirës që merr në konsideratë shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e sigurimit të financimit, ndikimin në konkurrueshmërinë e ekonomisë, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve”, shton.

“Për Kosovën, e cila vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara gjeneruese dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese është një faktor me rëndësi strategjike. Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet tutje.

Oda ka ritheksuar se zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike, “lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat në Kosovë”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kishte bërë thirrje edhe Kosovës që t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror i cili vjen nga SHBA-të. Dhe atë, në formë urgjente në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.

“Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ambasada.

Mirëpo, Qeveria Kurti ka refuzuar këtë mundësi.