Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje publike për mobilizim të veteranëve dhe qytetarëve drejt Skenderajt, ku sot pritet të intervistohet Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku në stacionin policor.
Në komunikatën e tyre, OVL e UÇK-së ka ftuar të gjithë ata që, sipas tyre, ndjejnë respekt për luftën çlirimtare, që të bashkohen pranë stacionit të Policisë në shenjë përkrahjeje dhe solidariteti.
“Sot më shumë se kurrë, kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë”, thuhet në thirrjen publike.
Tutje, organizata ka theksuar se prania e qytetarëve do të jetë mesazh se luftëtarët e UÇK-së nuk do të jenë kurrë vetëm.
OVL e UÇK-së ka bërë apel që pjesëmarrja të jetë e qetë, dinjitoze dhe në frymën e respektit qytetar.









