Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është futur në “drejtim të rrezikshëm” pas ngjarjeve të mbrëmshme ku pushteti nisi votimin për President pa qenë 80 deputetë në sallë. Para mediave, Haradinaj ka thënë se “do t’i mbulojë turpi të gjithë ata që u bënë pjesë e suprimimit të Kushtetutës, përfshirë edhe kandidatet për Presidente”.

“Kjo është një situatë shumë ndryshe nga çdo situatë në të kalumen. Të zgjedhurit në institucione shkelin Kushtetutën. Pra i bjen që Kushtetuta tanimë mbrohet vetëm nga sovrani, me këtë rast nga populli. Populli i zgjedh mënyrat e veta, të protestave, të veprimeve të përshkallëzimeve të nevojshme me e mbrojtë Kushtetutën. Edhe në të kalumen është suprimu Kushtetuta”, tha Haradinaj.

“Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës, është drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Edhe njëherë i bëj thirrje u.d të Presidentes, Kryetares së Kuvendit, Kryetarit të Qeverisë që të ndalen, mos të vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Ata janë në pushtet, mujnë me e rujt pushtetin duke e respektu Kushtetutën. Nëse shkojmë kësaj rruge, ata s’na lajnë rrugë tjetër përpos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës edhe si deputetë edhe si të zgjedhur të popullit edhe ta thirrim popullin me e mbrojtë Kushtetutën nga shkelja e tillë, nga rreziku i vendit i rendit kushtetues i rendit demokratik”, tha Haradinaj.

Në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë votimi për President pasi që mbrëmë (e hënë, 27 prill) procesi u ndërpre, pavarësisht se s’mund as të nisej pasi në sallë nuk ishin 80 deputetë, ashtu siç kërkohet me Kushtetutë.