Ramush Haradinaj, ish-Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u ka bërë thirrje institucioneve që maksimalisht të angazhohen që në Samitin e radhës të NATO-s, që do të mbahet në Shqipëri, të diskutohet kandidatura e Kosovës për anëtarësim.
“Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në botë, NATO, e cila e shpëtoi popullin tonë nga gjenocidi, mbajti samitin e radhës në Turqi. Kosova duhet të veprojë menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai është i vetëdijshëm që koha për këtë është e shkurtër, por thekson se “me punë serioze ky synim është i arritshëm”.
Kush nuk e mbështet këtë objektiv strategjik të Kosovës, në vlerësimin e ish-Kryeministrit Haradinaj, është “ose shkurtpamës, ose nuk e kupton përgjegjësinë e postit që mban”.









