Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se stuhia me erëra të forta dhe reshje të dendura ka shkaktuar dëme të mëdha në shumë pjesë të vendit, duke theksuar se në këto momente nuk mjaftojnë vetëm deklaratat dhe se institucionet duhet t’i kompensojnë qytetarët e prekur.

“Në këto momente nuk mjaftojnë vetëm deklaratat. Është detyrë e institucioneve që të dalin menjëherë në terren, të evidentojnë dëmet dhe të ndërmarrin masa konkrete për kompensimin e familjeve, bizneseve dhe fermerëve të prekur”, shkroi Hoti në Facebook.

Ish-Kryeministri theksoi se janë dëmtuar biznese, vetura të qytetarëve, prona private dhe infrastruktura, “ndërsa goditjen më të rëndë e ka pësuar sektori i bujqësisë, ku për shumë fermerë është shkatërruar mundi dhe investimi i një viti të tërë”.

Asnjë qytetar, thotë ai, nuk duhet të mbetet vetëm përballë pasojave të kësaj fatkeqësie. “Qeveria duhet të mobilizojë të gjitha mekanizmat në dispozicion për t’u dalë në ndihmë sa më shpejt të gjithë të dëmtuarve”.

Mbështetja, thekson Hoti, në këto momente është jo vetëm një detyrim institucional, por edhe një përgjegjësi njerëzore.