Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që Gjykata Speciale të mos marrë një vendim politik lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktgjykimi ndaj të cilëve do të shpallet më 16 shtator.

Ai tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe nëse nuk do të ishte e tillë nuk do ta merrte mbështetjen prej ndërkombëtarëve.

“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëj vendim politik, por të bëj vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çka është drejtësia se ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare këtë mbajeni mend”, ka thënë Konjufca për gazetarët.

“Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës”.

Gjeneralët më të njohur të NATO-s, theksoi ai, kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunu në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë? Sepse ushtria jonë i ka kontribu ndaljes së gjenocidit të Millosheviçit”, shtoi ai.

Ky, thekson ai, është kuptimi i luftës së UÇK-së. “E të gjithë të akuzuarit në Hagë i kanë kontribu këtij qëllimi. Kjo është drejtësia. Nëse vendoset me drejtësi vendoset kështu. E ne nuk dëshirojmë si popull bile do të ishim shumë të revoltuar, shumë të revoltuar nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”.