Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.
“Thellim të përçarjes” ka paralajmëruar ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, nëse liderët e partive politike në Kosovë nuk bëhen bashkë për zgjidhjen e çështjes së Presidentit.
Këto komente, Walker i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, të enjten, ku bën thirrje liderëve që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin Presidentin.
“Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit. Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar”, tha Walker.
Kosovën, Walker e quajti “një perlë”, duke shprehur dëshirën që ajo “të rikthehet në rrugën e duhur”. “Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë”, potencoi ai.
“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, shtoi.
Të mërkurën, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u takuan pikërisht për çështjen e Presidentit.
Ndonëse e quajtën “hap përpara” faktin që kanë biseduar për emra konkretë – të cilët nuk i bën publikë – marrëveshje nuk pati. Ata paralajmëruan takime tjera ditëve në vijim.
Për shkak të moszgjidhjes së Presidentit, Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme më 7 qershor.









