Një dialog strategjik e humbi me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e tash Albin Kurti po kërkon nga Bashkimi Evropian të nisë një dialog strategjik me Kosovën në tri fusha.
Këtë kërkesë ai tha se e ka shprehur në takimin me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – që u zhvillua jo në objektin e Qeverisë, por në Kuvendin e Kosovës.
Në postimin e tij, kryeministri Kurti nuk ka përmendur askund të ketë biseduar me presidenten e BE-së për sanksionet që i janë vënë Kosovës tash e gati tre vjet.
Ky është postimi i Kurtit:
“Me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, diskutuam për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe përparimin demokratik e rritjen ekonomike të vendit në katër vitet e fundit.
Kosova po bën progres si shtet i pavarur e republikë demokratike, e krahas zhvillimit ekonomik, po zbatojmë reforma të rëndësishme e avancojmë në shumë fusha, përfshirë sundimin e ligjit e sigurinë – tregues këta se vendi ynë meriton të bëjë hapa të mëtejshëm përpara në rrugëtimin e saj evropian.
Bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i dorëzuam Presidentes von der Leyen edhe tre letra zyrtare, ku shprehim interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç: bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe industri të mbrojtjes.”









