Ambasadori i Francës në Prishtinë, Ovliver Guerot, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës gëzon respekt ndërkombëtar dhe duhet të respektohet edhe brenda vendit.

“Kushtetuesja është institucion shumë i respektueshëm jashtë Kosovës. Ajo është pranuar si anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Gjykatave Kushtetueses, si dhe asaj frankofone. Për shkak se respektohet jashtë shtetit, mendoj se duhet të respektohet edhe në Kosovë”, deklaroi Guerot.

Këto komente të diplomatit francez vijnë në një kohë kur eksponentët e pushtetit, duke përfshirë edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, po e sulmojnë Kushtetuesen.

“Do të përmbahem nga komentet se çka mund të thonë të tjerët, por do të këshilloja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Është ndër shtyllat e Republikës së Kosovës dhe e ka përkrahjen tonë të plotë”, deklaroi ai pas debatit për dezinformimin në fushatat zgjedhore të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.