Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime në orën e fundit para se të mbyllen vendvotimet. Në një adresim përmes një videoje, Kurti ka thënë se e drejta për të votuar duhet të shfrytëzohet “për t’i dhënë drejtim të mirë komunave dhe të ardhmes”.

“Në çdo qytet, në çdo fshat e në çdo lagje, gjithandej nëpër komuna, thirrni familjarët, miqtë dhe të afërmit që të dalim sa më shumë për të votuar. Ta shfrytëzojmë këtë ditë të rëndësishme të demokracisë për t’i dhënë drejtim të mirë komunave tona dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, tha Kurti.

“Nga Prizreni në Mitrovicë, nga Gjakova në Gjilan, nga Peja në Ferizaj, e deri në kryeqytetin tonë, Prishtinë, ashtu që të ndihet fuqia juaj në mbarë Republikën!”, shtoi ai.