Me njëfarë ngazëllimi, sikur po thoshte diçka të rëndësishme – nën ndjesinë se po përfaqësonte një fuqi botërore përballë një tryeze diskutimi në New York – Albin Kurti dha para dy ditësh një deklaratë që u cilësua ndër më skandalozet për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por pse, në thelb, kjo deklaratë është poshtëruese për SHBA-të, të cilat që nga viti 1998 kanë qenë aleati kryesor i Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë?
Së pari, ai e paraqiti Amerikën si gënjeshtare, sikur po mashtron për arsyet e pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën; dhe së dyti, e portretizoi atë sikur nuk është e interesuar për rend dhe ligj.
“Së pari, nuk është se Dialogu Strategjik është pezulluar, por planifikimi për një dialog strategjik është suspenduar. Kjo është për dy arsye: një, për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, që doli të jetë kundër strukturave ilegale serbe,” tha ai.
Kurti, kryeministër në detyrë, deklaroi gjithashtu se angazhimi i Amerikës për ta larguar Serbinë nga ndikimi rus nuk është problem i tij.
“Kemi disa pengesa në diplomaci, pasi në këndvështrimin tim SHBA-ja konsideron se është shumë e rëndësishme të marrë Serbinë nga hemisfera lindore… Ne, duke qenë pak të ngurtë në sundimin e ligjit, në demokraci, në sovranitet shtetëror dhe integritet territorial, i kemi bërë disa politikanë dhe diplomatë amerikanë të mendojnë se nuk jemi ndihmues ndaj SHBA-së për ta larguar Serbinë nga Federata Ruse. Por, të jem i sinqertë, ky nuk duhet të jetë problemi im,” tha ai.
Në fakt, të dyja këto deklarata janë të pavërteta në realitet.
Amerika ka qenë aleat i palëkundur i Kosovës – në rrugëtimin për liri, pavarësi, njohje dhe siguri – në çdo administratë, qoftë republikane apo demokrate.
Prania e saj ushtarake, mbështetja për FSK-në, përkrahja në çështje të sigurisë në veri dhe të tjera aspekte të jetës institucionale janë të pakontestueshme.
Po ashtu, arsyet e pezullimit nuk lidhen aspak me veprimet e Kosovës në veri të vendit, por me zhvillimet dhe deklaratat e Kurtit lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Këtë e bëri të qartë edhe Ambasada Amerikane, në një komunikatë që pasoi sulmet verbale të Vetëvendosjes kundër Gjykatës Kushtetuese.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite,” thuhej në deklaratën e Ambasadës, duke shtuar se shpresojnë që dialogu të vazhdojë në të ardhmen “kur kushtet të jenë të përshtatshme.”
Para dy ditësh, edhe Departamenti i Shtetit i quajti të pasakta deklaratat e Kurtit.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të shmangur çështjet thelbësore. Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë të qartë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara,” tha për Nacionale një zëdhënës i DASH-it.
Problemet e Kurtit me Amerikën dhe deklaratat skandaloze nuk janë të reja.
Ai ka pasur përplasje edhe me administratën Biden.
Në një intervistë për media ndërkombëtare, ai e quajti “naiv” Sekretarin e Shtetit të asaj kohe, Antony Blinken.
“Unë mendoj se kjo nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta Sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme,” kishte thënë Kurti, duke komentuar një deklaratë të Blinken pas tensioneve në veri në vitin 2023, ku ky i fundit kishte thënë: “Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rrit pasigurinë.”
Në një rast tjetër, Kurti në mandatin e parë si Kryeministër – kur po kërkohej një Marrëveshje me Serbinë kishte aluduar sikur në Shtëpinë e Bardhë po vendoseshin thika mbi hartën e Kosovës.
“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës, unë nuk e bëj këtë“, kishte thënë Kurti në TV Dukagjini.
Por, nga ajo çfarë po nxjerr Kurti nga goja për Amerikën, a është një thikë në shpinën e mikut kryesor të Kosovës?









