Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka mbështetur protestën “Drejtësi, Jo Politikë” të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet një deklarate publike pas mbledhjes së kryesisë të këtij institucioni.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë”, thuhet në deklaratën e BIK-ut.
Në deklaratë, BIK-u e cilëson procesin në Hagë si të politizuar dhe me qëllim për sulm ndaj UÇK-së, duke thënë po ashtu se “është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë.
Hytbeja, ligjërata javore e së premtes, apo xhumasë, në xhamitë e Kosovës do t’i kushtohet Pavarësisë së Kosovës, me theks të veçantë organizimit për protestën e thirrur në të njëjtën datë.
“Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.









