Aleanca ka zhvilluar një aktivitet simbolik, duke hedhur thëngjill para objektit të Qeverisë së Kosovës. Ata kanë theksuar se Kosova nga një terr energjetik është duke kaluar në terr politik, duke kundërshtuar kështu krizën energjetike e bllokadën me institucionet.

“Me Kurtin edhe me Vetëvendosjen gjatë këtyre gjashtë-shtatë viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtë, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë, është se mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr”, ka thënë deputeti i Aleancës, Burim Ramadani.

Por, rryma, thekson ai, nuk prodhohet këtu, duke përmendur edhe “një prej pikave kryesore të ofertës gjatë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet”.

“Dhe është e qartë se gjatë këtyre viteve rreth 1 miliard euro janë ble rrymë në Serbi e vende të tjera e prej kësaj ka përfitu askush tjetër përpos mafias energjetike”, deklaroi ai.

Ramadani përmendi edhe punëtorët, të cilët vdesin duke e nxjerrë qymyrin, e për këtë çështje theksoi se nuk ka “përgjegjësi as politike as menaxheriale”.

“Në kohët e fundit po shohim që punëtorët, të cilët e humbin jetën bash duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës dhe nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, shtoi ai.

“E tash nëse gjatë këtyre vjetëve, ka përfitu mafia energjetike prej territ energjetik, kush po përfiton prej territ politik? Pra, është i njëjti koncept. E kanë pasë edhe e kanë mbajtë, e kanë mirëmbajtë, e kanë ushqy terrin energjetik. Tash kanë kalu në fazën tjetër, që është terr politik”.

Pra, terri politik, ai thotë se është bllokimi i institucioneve, “terri politik është pamundësimi që institucionet të krijohen dhe që qytetarët të jetojnë e të gëzojnë një jetë më të mirë”.