Bordi i Paqes, i mandatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) i shpallur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në fillim të këtij viti për administrimin e Gazës, po planifikon t’i sigurojë vetes imunitet të gjerë ligjor, sipas një draft-rezolute të siguruar nga gazeta prestigjioze britanike The Guardian.

Drafti, sipas “The Guardian”, parashikon gjithashtu që Bordi i Paqes të ketë “të drejtë të marrë pronë publike në Gaza pa pagesë”.

Rezoluta katërfaqëshe, e shënuar si “konfidenciale ,por e paklasifikuar”, u jep mbrojtje të gjerë të gjithë anëtarëve të Bordit të Paqes dhe zyrës së tij administrative, Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), si dhe teknokratëve palestinezë, forcave ndërkombëtare ushtarake dhe kontraktorëve jo-rezidentë të angazhuar për punë në Gaza. Ajo përcakton se imuniteti do të përfshinte “çdo arrestim, ndalim apo procedurë ligjore në gjykatat apo entitetet e tjera në Gaza”.

The Guardian shkruan se nuk është e qartë nëse dokumenti synon ta përjashtojë Bordin e Paqes dhe strukturat e tij nga ndjekja penale edhe në gjykatat ndërkombëtare, përveç padive të mundshme në Gaza.

Kryetari i Bordit të Paqes, Donald Trump, do të kishte të drejtën të heqë imunitetin e dikujt, me mbështetjen e shumicës së bordit të tij, thuhet në draftin e qershorit 2026.

Bordi ekzekutiv prej shtatë anëtarësh përfshin dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner, të dërguarin special Steve Witkoff, shefen e kabinetit të Presidentit amerikan, Susie Wiles, dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj pyetjeve të The Guardian, duke i drejtuar ato te Bordi i Paqes.

Bordi nuk i ka dhënë përgjigje specifike për draftin gazetës britanike, por një zyrtar ka deklaruar se “nuk ekziston asnjë rezolutë operative apo kornizë imuniteti si ajo e përshkruar… çdo sugjerim se ky proces synon të krijojë anarki ose pandëshkueshmëri është i gabuar”.

Zyrtari shtoi se Presidenti nuk ka rol në krijimin apo heqjen e imunitetit në Gaza, dhe se do të ketë mekanizma mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje, pa shpjeguar detajet.

Diplomati bullgar Nickolay Mladenov, që shërben si përfaqësues i lartë i Bordit të Paqes për Gazën, The Guardian raporton se ka zhvilluar takime në Kajro me administratorë palestinezë të përzgjedhur për të qeverisur Gazën. Draft-rezoluta e quajtur “RESOLUTION NO 2026/3” nuk u është ndarë atyre.

Pjesë e Bordit të Paqes është edhe Kosova.

Më 22 janar 2026, Vjosa Osmani, si Presidente e Kosovës në atë kohë, kishte nënshkruar në emër të Kosovës pjesëmarrjen në këtë bord, duke u bërë një nga shtetet themeluese.

Ceremonia u zhvillua në Davos të Zvicrës, ku po mbahej Forumi Ekonomik Botëror.

Si rrjedhojë e angazhimeve që Kosova ka marrë nga Bordi i Paqes, disa ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të shkojnë në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza, i propozuar nga Qeveria, Kuvendi e kishte miratuar më 17 prill, më 89 vota për.