Trupi Gjykues në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale, ka lëshuar një urdhër të ri sa i përket afatave në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve dhe fazave të tjera të procesit. Paneli përmes këtij vendimi miratoi pjesërisht kërkesat e adresuara nga mbrojtja dhe prokuoria, duke vendosur që fjalët përfundimtare të paraqiten nga 09 deri më 13 shkurt.

“Sa i përket dosjeve gjyqësore përfundimtare dhe deklaratës për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati dhe urdhëroi që këto parashtrime të dorëzohen deri më 19 janar 2026, vijuar nga deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Dhomat e Specializuara

Gjithashtu, përmes të njëjtit, janë urdhëruar avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit që të përmbyllin zyrtarisht paraqitjen e argumenteve jo më larg se deri më 2 dhjetor të këtij viti.

Të martën e javës që po lëmë pas përfundoi dëshminë edhe dëshmitari i fundit i Mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Ish komandanti i NATO-s u paraqit për dy ditë me radhë në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa para tij u paraqitën pesë ish-zyrtarë të tjerë të lartë