Luka Misetiç, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën përfundimtare të mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë konfirmuar pafajësinë e ish-presidentit Thaçi, i cili po akuzohet për krime lufte.
“Ju dëgjuat nga shumë dëshmitarë ndërkombëtarë se Hashim Thaçi nuk ishte i dyshuar për përfshirje në krime lufte ndërkohë që këto ngjarje po zhvilloheshin. Këta dëshmitarë ndërkombëtarë ju thanë se ata, në fakt informoheshin për ngjarjet në terren përmes burimeve diplomatike të inteligjencës dhe burimeve të tjera, si dhe nga përvojat e tyre personale, përfshirë përvojat me Hashim Thaçin”, tha Misetiç.
“Këtë e dëgjuat, për shembull, nga ish-ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, i cili ju tha se në fund të qershorit 1999 ai kishte hetuar në mënyrë specifike pretendimet e bëra në ‘New York Times’ në qershor 1999 për zotin Thaçi, kishte verifikuar të gjitha burimet e disponueshme të inteligjencës, burimet diplomatike, Divizionin për të Drejtat e Njeriut në Departamentin e Shtetit dhe informacione të tjera në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe nuk kishte gjetur asnjë provë që e lidhte zotin Thaçi me krime lufte”.
Ai ka përmendur edhe dëshminë e ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, i cili kishte thënë se nuk ka dijeni nëse Thaçi të ketë kryer ndonjë akt të dhunshëm apo të ketë bashkëpunuar me të tjerët për ta bërë këtë.
“Ju dëgjuat nga diplomatë amerikanë me përvojë dhe të dalluar si Michael Durkee, Sean Burns dhe Christopher Hill, të cilët e përshkruan rolin e zotit Thaçi në UÇK si të ngjashëm me atë të një ministri të jashtëm. Ambasadori Hill ju foli për përvojën e tij të gjerë me udhëheqës dhe figura ndërkombëtare gjatë dekadave të shërbimit diplomatik dhe krijoi bindjen se zoti Thaçi ishte, citoj, “jo tipi i personit që do të kryente dhunë ndaj të tjerëve”, shtoi.
“Ju dëgjuat gjithashtu nga diplomati britanik me përvojë dhe i dalluar, John Duncan, i cili ju tha se zoti Thaçi nuk mund ta kishte ndalur në mënyrë të pavarur dhunën gjatë verës së vitit 1999. Dhe dëgjuat nga profesori i respektuar i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili ishte këshilltar i besuar i delegacionit shqiptar në Rambuje dhe që kishte vëzhguar ndërveprimet e zotit Thaçi nga brenda delegacionit, duke arritur në përfundimin se zoti Thaçi nuk kishte autoritet brenda UÇK-së për të marrë vendime i vetëm”.








