“Procesi i negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin ose kandidaten për President është një proces i ndarë, është proces politik dhe jo i drejtësisë”.

Kështu ka thënë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur është pyetur për propozimin që Hashim Thaçi të rizgjidhet President i Kosovës pas takimit që pati me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Nga ana tjetër ai theksoi se beson në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte.

“Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, bartëse dhe organizatore e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është luftë e drejtë, çlirimtare, anti-kolonialiste, kundër okupatorit shekullor serb dhe nuk ka proces gjyqësor as në vend e as jashtë tij që mund ta njollosë UÇK-në. Ne shpresojmë më të mirën dhe dëshirojmë që të na kthehen në Kosovë të lirë”, tha Kurti.

Propozimin për Thaçin e bëri ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, më 22 gusht.

Ai tha se Thaçit i është ndërprerë padrejtësisht mandati dhe se vazhdimi i tij do të ishte “nder për kombin” dhe “kundërpërgjigje ndaj armiqve”.

“Nëse do zgjidhje Kurti, pra regjimi i Kurtit, me të thënë të drejtën është nder i kësaj legjislature dhe çdo legjislature, por edhe të çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit Presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politike, por për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës, të cilët kurrë nuk flejnë, që t’ia vazhdojmë mandatin”, deklaroi Haradinaj për gazetarë.

Propozimi i Haradinajt u bë disa ditë para 16 shtatorit, datës kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin për Thaçin dhe të tjerët, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Kosovës më 26 shkurt 2016. Por, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit më 5 nëntor 2020 – disa muaj para se t’i përfundonte mandati 5-vjeçar – pasi që Gjykata Speciale i kishte ngritur aktakuzë.