Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të dhënë nga paraburgimi i Hagës, ka folur për procesin gjyqësor që po e kalon prej vitesh, duke thënë se ai ka devijuar nga qëllimi i tij fillestar dhe se duhet të garojë drejtësi, e jo hakmarrje.

Thaçi theksoi se qëndrimi i tij në izolim tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë pa një vendim gjyqësor përfundimtar, duke e cilësuar këtë si një situatë që kërkon transparencë dhe respektim të të drejtave të njeriut.

“Në izolim po kaloj vitin e 6 pa vendim gjyqësor. Ky proces ka devijuar, duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje, s’kam çka t’i shtoj këtij konstatimi”, u shpreh ai.

Ai shtoi se në këtë proces është cenuar edhe mënyra e përjetimit të përditshmërisë së tij në burg, duke përshkruar izolimin si gjendje të rëndë personale.

“Më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shprehur atë që ma do zemra e thotë plotësisht mendja”, tha Thaçi.

Në intervistë, ai u ndal edhe te përjetimet e përditshme në burg, duke thënë se edhe gjërat më të thjeshta kanë humbur kuptimin e tyre normal.

“Në burg ushqimi, kafja e çaji s’e kanë shijen origjinale”, u shpreh ai.

Thaçi gjithashtu komentoi edhe dimensionin e përgjithshëm të procesit gjyqësor, duke theksuar se ai nuk duhet të shihet si një mjet për të gjykuar identitete apo për të ndikuar në perceptime kolektive.

“Procesi që po kalojmë nuk minimizon as glorifikon identitetin e individëve që po gjykohen”, tha ai.

Duke iu referuar debatit mbi dëshmitë historike, Thaçi shtoi:

“Dëshmia e Clarkut e gjen paraqitjen e drejtë të kaluës sonë.Luftëtarët e lirisë nuk kanë nevojë për komplekse inferioriteti, por për vizion dhe drejtim për të ardhmen.” Thotë ndër të tjera Thaçi.

Ish-presidenti vazhdon të mbahet në Hagë, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij dhe të tjerëve po vazhdon prej vitesh.