Dy vendet më të fuqishme evropiane, Franca dhe Gjermania, i kanë kujtuar Kosovës, përkatësisht Kryeministrit Albin Kurti, obligimin për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, të cilin ai e kishte dakorduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në letrat e tyre të urimit për rizgjedhjen e Kurtit si Kryeministër i Kosovës, Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kërkuan nga kreu i ekzekutivit kosovar përparim në dialogun me Serbinë.

“Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Macron në letrën e tij drejtuar Kurtit.

Presidenti francez ka theksuar se shteti që ai udhëheq është i bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe “ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane”.

“Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Letra e Macron drejtuar Kurtit

Në të njëjtën linjë ishte edhe Merz. Ai kërkoi nga Kurti përparime të mëtejme në dialogun me Serbinë, derisa i tha se e presin detyra sfiduese.

“Para jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese. Jam i bindur se ju, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës. Këtu bëjnë pjesë edhe përparime të mëtejshme në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi ndër të tjera Merz në letrën e tij.

Ai theksoi se në këto detyra, Kosova, “e ka një partner të fortë dhe të besueshëm në anën e saj”, si Gjermaninë.

Letra e Merz drejtuar Kurtit.

Marrëveshja mes Kurtit dhe Vuçiç-it, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, ishte arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023.

Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.

Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.

Por, kur kanë kaluar tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket gjëkundi, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.