Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i ka konsideruar si “tezë plotësisht të sajuar dhe të fabrikuar” pretendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci synon Serbinë.
“Ky lloj bashkëpunimi teknik në nivel të Ministrive të Mbrojtjes që ekziston ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është aspak i drejtuar kundër Serbisë, nëse e shikoni në substancë dhe në përmbajtje. Pra, kjo është një tezë plotësisht e sajuar dhe e fabrikuar, e cila ndoshta duhet në planin e brendshëm politik të mbështesë narrativën për një kërcënim të jashtëm ndaj Serbisë”, ka thënë Plenkoviç në një konferencë për media të shtunën.
Plenkoviç theksoi se as Kroacisë, as Shqipërisë e as Kosovës nuk i shkon mendja për ta kërcënuar integritetin territorial të askujt.
“Nuk na shkon as në mendje dhe jam i sigurt se as Kosovës dhe as Shqipërisë nuk u shkon në mendje, këtë e di mirë, sepse i kam parë komentet e tyre dhe kam dëgjuar drejtpërdrejt se çfarë mendojnë për këtë tezë, sepse edhe ata e lexojnë këtë si ju”, ka shtuar ai.
“Rama dhe Kurti mendojnë njësoj: as njërit dhe as tjetrit nuk i shkon në mendje të rrezikojë integritetin territorial të kujtdo, e aq më pak të bëjnë luftë kundër Serbisë. Në çfarë kohe jetojmë që të merremi me gjëra të tilla?”.








