Në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë fjalës jashtë rendit të ditës, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar llogari dhe hetim për rastin ku është cenuar siguria kombëtare, kur një shtetas i huaj kishte arritur të futej në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, të filmonte dhe t’i publikonte pamjet i papenguar.

Krejt kjo pasi VOX Kosova kishte raportuar ekskluzivisht për rastin.

Burim Ramadani nga Aleanca tha se ky është skandal shumë i madh dhe mund të jetë edhe testim armiqësor.

“Janë vendosur në YouTube pjesë të cilat jo vetëm që nuk do të duhej të incizoheshin e të filmoheshin, por nuk do të duhej fare që dikush të kishte qasje në to. Pra, nuk po flasim për një park publik, por po flasim për një objekt të veçantë të infrastrukturës kritike, të sigurisë kombëtare të Kosovës. E çka nëse ky ka qenë testim armiqësor? Rezultati dihet, shihet. Pra, është e qartë, siguria është shkelur dhe është skandal fort, fort i madh”, tha Burim Ramadani.

Ganimete Musliu nga PDK-ja tha se IPK-ja duhet të merret urgjentisht me këtë rast.

“Si anëtare e Komisionit për Siguri, kur kam bërë kërkesë për vizitën e Kampit Belvedere në Mitrovicë, më është mohuar kjo e drejtë dhe, nëse neve si ligjvënës, si mbikëqyrës të institucioneve, na mohohet e drejta të kalojmë në ato kampe, si është e mundur që një qytetar, jo shtetas i Kosovës, të futet pa u vërejtur fare dhe të marrë incizime të tilla?”, deklaroi Ganimete Musliu.