Një vendim gjykate dështoi të zbatohej nga çdo hallkë që duhej ta zbatonte.

Si rrjedhojë, një grua u vra me sopatë, ndonëse vetëm tri ditë më parë kishte paralajmëruar vrasjen e saj.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre… Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Kështu i ishte drejtuar Arlinda Zekaj kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetajt.

Por shteti dështoi që, në çfarëdo forme, të bëhej shpresa e saj.

Këtë dështim e shpjegon më së miri vetë vendimi i gjykatës:

“LËSHOHET urdhri për mbrojtje për palën e mbrojtur Arlinda Zekaj. I NDALOHET palës përgjegjëse Jeton Sylaj afrimi ndaj palës së mbrojtur në distancë prej 2 metrash në shtëpinë ku është duke qëndruar pala e mbrojtur, si dhe në rrugë, qytet, fshat, shkollë dhe vendin e punës, në distancë prej 20 metrash.”

Në realitet, Arlinda Zekaj shkoi në shtëpinë që i takonte me ligj. Aty u dhunua nga Jeton Sylaj.

Ajo e raportoi rastin e dhunës. U intervistua. Policia e ktheu në shtëpi dhe, pak më vonë, ajo u vra tragjikisht me sopatë nga vëllai i bashkëshortit të saj.

Arlinda Zekaj la pas vetes dëshmi të dhimbshme të dështimit të një sistemi të tërë të drejtësisë.

Dështoi Qendra për Punë Sociale, e cila nuk arriti të siguronte zbatimin e ligjit për kujdesin ndaj djalit të Arlinda Zekajt dhe Jeton Sylajt.

Dështoi Prokuroria, e cila nuk e mori seriozisht thirrjen për ndihmë të një nëne.

Dështoi Gjykata, e cila ia aprovoi vetëm pjesërisht kërkesën për mbrojtje, ndonëse ajo kishte paralajmëruar rrezikun për jetën e saj.

Dhe, në fund, dështoi Policia, e cila nuk arriti ta mbronte një grua përballë dy personave që, sipas rrethanave të rastit, përbënin rrezik për të.

Por, siç kishte thënë edhe vetë Arlinda: “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”.

Arlindës nuk ia mori jetën vetëm sopata. E tradhtoi edhe shteti që duhej ta mbronte.

Ky shtet tash e ka momentin të jap përgjegjësi.