Dy blloqe të prodhimit të rrymës në Korporatën Energjetike të Kosovës sërish janë jashtë funksionit. Bëhet fjalë për Blloqet B1 dhe B2 të Termocentralit “Kosova B”. KEK, në një njoftim për media tha se B2-shi “i është nënshtruar procesit të remontit vjetor” teksa B1-shi i është nënshtruar projekteve “të modernizimit”.

Kjo nënkupton që Kosova aktualisht po prodhon energji elektrike nga vetëm dy blloqe të Termocentralit “Kosova A”.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese të njohura si A1, A2, A3, A4 dhe A5. Vetëm blloqet A3, A4 dhe A5 janë funksional. Por, sipas planit aktual në prodhim përdoren dy blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak te gatishmërisë se tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre. Blloqet A1 dhe A2 janë jashtë pune, pa status të definuar.

Rënia e blloqeve ka qenë problematikë e vazhdueshme në KEK, që për pasojë ka pasur importin e energjisë dhe blerjen nga tregtarët e rrymës, siç është rasti i kompanisë ETMT, për të cilën VOX Kosova ka raportuar në vazhdimësi.

Kjo kompani, me vetëm një punëtor e me zyre në  dry, ka qarkulluar mbi 24 milionë euro për vetëm dy muaj.

Për këtë çështje, pas raportimeve të vazhdueshme të mediumiut është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.