Në vitin 1888, jo shumë kohë pasi Vincent van Gogh u zhvendos në Arles, një qytet piktoresk i ndërtuar mbi rrënoja romake në jug të Francës, ai i shkroi një miku, piktorit parizien Émile Bernard, për banesën e tij të re.
“Kam marrë me qira një shtëpi të lyer me të verdhë nga jashtë, të zbardhur nga brenda, nën diellin e plotë”, shkroi van Gogh, duke shtuar një përshkrim të pamjes: “Qyteti është i rrethuar nga livadhe të pafundme të mbuluara me zhabina të panumërta — një det i verdhë.”
Duke jetuar në një shtëpi të verdhë mes këtij “deti të verdhë”, van Gogh iu kthye vazhdimisht kësaj ngjyre për të krijuar disa nga pikturat e tij më të njohura: fusha gruri të arta nën një diell përvëlues, tendën ngjyrë karamel të një kafeneje natën dhe një vazo të çelët me luledielli.
Pablo Picasso pati Periudhën e tij Blu në fillim të viteve 1900, një fazë melankolike në nuanca blu.
“Periudha e verdhë” e van Gogh-ut, siç mund ta quajmë, pasqyronte ngrohtësinë e diellit provansal, por edhe ndjenjën e ngushëllimit, shpresës dhe optimizmit gjatë atij momenti të shkurtër të karrierës së tij.
Ai e përdori kaq shumë këtë ngjyrë në vitet e tij në Arles — një kohë kur ishte në kulmin e fuqive të tij artistike — saqë mbeti përgjithmonë i lidhur me të, shkruan New York Times.
“Yellow. Beyond Van Gogh’s Color,” një ekspozitë në Van Gogh Museum në Amsterdam që zgjat deri më 17 maj, e bën këtë nuancë parimin organizues. Ngjyra e lidh postimpresionistin e shekullit XIX jo vetëm me artistë të tjerë si Paul Signac, Kazimir Malevich dhe J. M. W. Turner, por edhe me një çadër zonje, një fustan balloje dhe dy instalacione gjithëpërfshirëse nga artisti danez Olafur Eliasson.

Amsterdam; Vincent van Gogh Foundation
Kuratorët e marrin si pikënisje “Sunflowers” (1889) të van Gogh-ut për të eksploruar kuptimin e ndryshueshëm të ngjyrës për artistët.
“Është një udhëtim”, tha Ann Blokland, një nga dy kuratorët e ekspozitës. “Për kohën e van Gogh-ut, ishte një ngjyrë e modernitetit, e spiritualitetit dhe e teorisë së ngjyrave. Por ne duam që vizitorët të enden nëpër ekspozitë për të krijuar lidhjet e tyre”.
Teoria e ngjyrave ishte një preokupim i shumë artistëve të fund shekullit, përfshirë Wassily Kandinsky dhe Hilma af Klint, të cilët besonin se disa ngjyra kishin rezonanca shpirtërore ose kuptime simbolike dhe se kombinime të caktuara do të zgjonin dridhje emocionale tek shikuesi.
Kandinsky e përshkroi të verdhën si tingullin e një “borie që ushton” dhe krijoi një vepër teatri muzikor të quajtur “The Yellow Sound” për ta shprehur këtë ide. Ajo nuk u vu në skenë gjatë jetës së artistit; ekspozita në Amsterdam paraqet një videoklip të një produksioni të vitit 1974, me muzikë nga Alfred Schnittke.
Kuratorët kanë përfshirë gjithashtu kompozime të reja nga studentë të konservatorit të Amsterdamit për të kapur thelbin e së verdhës në tingull, si dhe parfume që sugjerojnë ngjyrën përmes aromave si vanilja, bergamoti dhe patchouli, të cilat vizitorët mund t’i nuhasin nga dekantues qelqi.
Kjo qasje shqisore shtrihet edhe te dy veprat e paraqitura nga Eliasson, i njohur për instalacione me dritë si “The Weather Project,” një instalacion specifik për hapësirën i vitit 2003 në Turbine Hall të Tate Modern në Londër, ku një sferë e ndritshme e verdhë krijonte iluzionin e diellit.
Blokland dhe bashkëkuratori i saj, Edwin Becker, i ofruan Eliasson-it një kat të tërë të muzeut për dy instalacione të mëdha: skulpturën me drita fluoreshente të vitit 2006, “Who Is Afraid Yellow Flower Ball”; dhe “Color Experiment No. 78” (2015), një seri prej 72 pikturash rrethore monokromatike që duket se ndryshojnë ngjyrë kur ndriçohen me drita të verdha.
“Ky interes “matematikor” për teorinë dhe teknikën e ngjyrave e lidh Eliasson-in me van Gogh-un”, tha Blokland.
Van Gogh luante me kombinime ngjyrash, duke favorizuar kontraste si e verdha me blu, dhe e verdha me vjollcë – por jo gjithmonë mbi kanavacë apo paletë. Para se të merrte penelin, ai mblidhte fije leshi me ngjyra në toptha për të parë si dukeshin tonet kur kombinoheshin. Një kuti e llakuar, e ekspozuar në ekspozitë, tregon nuancat e së verdhës, blusë dhe vjollcës që përputhen saktësisht me tonet që ai përdori në një natyrë të qetë me fruta të vitit 1887.
Lidhja e artistit me të verdhën shkon veçanërisht te seria e tij e famshme “Sunflowers,” e krijuar në 1888 dhe 1889 – por Blokland thekson se ai nuk e përdori domosdoshmërisht këtë ngjyrë më shumë se të tjerat gjatë gjithë karrierës.
Pikturat e tij të hershme, të realizuara në Holandën dhe Belgjikën e tij të lindjes, paraqisnin realitetin e ashpër të jetës rurale me një paletë të errët dhe tokësore. Vetëm pasi u zhvendos në Paris në vitin 1886 dhe u ndikua nga piktorë francezë si Signac, Paul Gauguin dhe Henri de Toulouse-Lautrec, ai filloi të eksperimentonte me pigmente më të ngrohta dhe më të gjalla.
Kur u vendos në Arles, dashuria e tij për të verdhën lulëzoi plotësisht — ashtu si edhe stili i tij.
Atje ai pikturoi peizazhe të mbushura me diell, shtëpinë e tij të re në “The Yellow House” (1888) dhe autoportrete me një kapele kashte ngjyrë misri.
“Kjo ishte një ngjyrë që e sfidoi të shtynte edhe më tej shprehjen dhe emocionin në pikturë”, tha Blokland, “sepse ishte një ngjyrë kaq e fortë dhe ishte kudo rreth tij në Arles.”

Kjo “periudhë e verdhë” vazhdoi gjatë qëndrimit të van Gogh-ut në një spital psikiatrik në afërsi të St. Rémy. Kur u zhvendos në Auvers-sur-Oise, pranë Parisit, pikturat e tij u bënë disi më të errëta, me më shumë vjollcë dhe blu.
Një nga zbulimet e Blokland gjatë përgatitjes së ekspozitës ishte fakti se librat me kopertinë të verdhë shfaqeshin shpesh në pikturat e kohës së van Gogh-ut. Ata do të ishin menjëherë të dallueshëm për bashkëkohësit si romane franceze me përmbajtje sugjestive ose të guximshme, duke i dhënë një kuptim të ri natyrës së qetë të vitit 1887 “Piles of French Novels.”
Pjesërisht për shkak të këtyre librave, “e verdha u bë sinonim me gjithçka moderne, në modë dhe disi skandaloze”, tha Blokland. Një revistë britanike e kohës, “The Yellow Book,” e paraqitur në ekspozitë, botonte artikuj të guximshëm ose skandalozë, shpesh të shkruar nga autore gra – gjë e rrallë në fundin e viteve 1800.
Dekada e fundit e shekullit u quajt nganjëherë “Vitet e Verdha”. një periudhë dekadente dhe avangardë që van Gogh nuk jetoi ta shihte plotësisht. Ai vrau veten në korrik 1890.
Në funeralin e tij, miqtë dhe familjarët sollën lule të verdha dhe arkivoli i tij u mbulua me luledielli dhe dahli të verdha: “lule të verdha kudo”, siç shkroi miku i tij piktor Bernard në një letër. “Ishte, siç e kujtoni, ngjyra e tij e preferuar”, shtoi ai, “simboli i dritës që ai kërkonte në zemrat e njerëzve, si edhe në veprat e artit”.









