Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar që t’i sulmojë partitë opozitare – Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës – pasi që të njëjtat refuzuan ofertat e tyre për çështjen e Presidentit. Kurti, në përpjekje për ta tallur opozitën, tha se nuk i kanë numrat as për të mbledhur nënshkrimet e një kandidati për President.

“Ata nuk i kanë votat as me ja mbledh nënshkrimet një kandidati. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë për me apliku. Veç pak, keni apliku për punë ju najher? Paramendojeni kur s’i ki dokumentet e po thu a hi në punë? Po ti s’i ki dokumentet as me apliku”, deklaroi Kurti për gazetarë.

“Me ja dhanë atij, po nuk ja ka dhanë populli o vëlla. Qysh me ja dhanë unë kur s’ia ka dhënë populli”, potencoi ai.

Kurti potencoi se oferta e tij për opozitën ka qenë “gjeneroze”, derisa ripërsëriti ofertën e tij për LDK-në: zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri të ministrive të tjera, ose Kryetarin e Kuvendit.

Sipas tij, nëse Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do t’i pyeste Partitë Popullore Evropiane (EPP), për ofertën që ia ka bërë, nuk do mirëprisnin refuzimin që i ka bërë.

“Më besoni, LDK-ja e cila është anëtare e Partive Popullore, EPP, nëse Kryetari i LDK-së i pyet partitë popullore evropiane dhe iu thotë: Kryeministri Albin Kurti që i ka 66 deputetë mazhorancë, mua që i kam 15 deputetë ma ka ofru zëvendëskryeministrin dhe katër ministri dhe kam thënë jo, unë jam i bindur që ata s’do ta mirëpresin” shtoi ai.

“Le ta pyes kancelarin Merz, le ta pyet Donald Tusk-un… krejt që janë në EPP le t’i pyet Abdixhiku edhe le t’i thotë a duhet ta pranojë këtë ofertë të VV-së. Le t’i pyet miqtë e vetë evropianë, mos të më pyes mua”.

Të njëjtën ia kërkoi edhe Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, të cilit i ka ofruar pozitën e Kryetarit të Kuvendit.

“Ose Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le ta pyes Renew Europe, a duhet ta pranojë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Do t’i thonë po, sepse është 1/3 e mazhorancës”, potencoi Kurti ndër të tjera.

Kurti konsideron se “oferta jonë është shumë gjeneroze, por [opozita] nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë”.