Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherit bashkëkryetar i Partisë Guxo, ka tentuar që t’i këshillojë ish-kolegët e tij në Guxo që iu bashkuan ish-Presidentes Vjosa Osmani, duke iu thënë “mos e helmoni gjuhën” dhe “mos i jepni zor”.

“Këshilla jem është mos e helmoni gjuhën, mos e helmoni diskursin, nuk e vlerëson qytetaria e Kosovës. Gjuha është prej tuli, por di me vra më shumë se plumbi”, ka thënë Peci në emisionin DPT te Fidani që transmetohet në Klan Kosova.

“Këshilla jem është mos i jepni zor shumë në aspektin e jo të bërit fushatë se bërja e fushatës është diçka që do të thotë sa më shumë që mundesh me pas angazhim është mirë, mos ta kontaminojnë gjuhën politike për shkak se nuk i ndihmojnë Kosovës”.

Kosova theksoi ai ka nevojë për institucione stabile, funksionale në shërbim të qytetarit.

“Kjo ideja e fjalimeve do të thotë e diskutimeve ku dikë e paraqet në nivel të rrezikshmërisë do të thotë nuk duhet me harru se qato xhirime po mbesin e kaniher konstilacioni politik edhe bindjet politike edhe ideologjike munden me ndryshu. Shumë është e rëndësishme me u ndal edhe me thënë ky është objektivi i Kosovës, le t’i kontribuojmë që të gjithë pa përjashtim ”, shtoi ai.

Disa ish-deputetë të Guxos, që kanë qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, si Haxhi Avdyli, Jeta Statovci e Albena Reshitaj, iu bashkuan Osmanit për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ata do të garojnë në listën e LDK-së, të cilës do t’i prijë Osmani.