Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se dikush në Kuvendin e Kosovës ka lidhje me kompaninë fantome ETMT që gjeneron miliona euro nga energjia elektrike, por thekson se ajo lidhje nuk është me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Tash ETMT po thonë që kishte lidhje, po kishte lidhje është e vërtetë, me një deputet të këtij Kuvendi, mirëpo ky deputet ishte nga radhët tjera jo nga radhët tona”, deklaroi Rizvanolli në fjalën e saj në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Ajo foli edhe për kompanitë e tjera të energjisë, për të cilat VV-ja ishte akuzuar që ka lidhje me to, si NOA Energy Trade dhe EFT-ja e Vuk Hamoviç-it.
“Keni fillu me EFT kur u pa që EFT-ja as nuk ka ardhë në kohën tonë, as nuk ka importu në kohën tonë, as nuk është licencu në kohën tonë. Prej 2008 është në Kosovë, në kohën kur ju keni qeveris me KEK-un, është importu 99 për qind e energjisë elektrike prej EFT”.
“Pastaj filluat me thanë NOA. Thatë Noan e keni sjell ju, pastaj doli që NOA ka fitu tendera në KEK e në KOST prej vitit 2018, pastaj u qetësua kjo temë një kohë edhe doli që u qetësua kjo temë, në kohën kur tenderin e kish fitu në KEDS e KESCO kompani tjetër që quhet ETMT”, potencoi ajo.
Por, Rizvanolli pretendoi se askush nga VV nuk ka lidhje me kompanitë që merren me tregtim të energjisë elektrike, paçka se deputeti i VV-së, Ejup Ahmeti është bashkëpronar në një kompani tjetër me pronarin e ETMT-së.
“Tash në fund asnjë nga ne nuk ka lidhje as me NOA-n, as me EFT, as me ETMT. Nuk kam dëgju ndonjëherë që keni prezantu ndonjë fakt. Ndërsa, për emra i ftoj ata gazetarët hulumtues, të cilët merren me zell me këto çështje të energjisë elektrike që t’i hulumtojnë”.









