Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka eskaluar në gjuhë të rëndë ndaj studentëve protestues, duke i quajtur ata “pa shkollë”, “qenie të verbra”, të cilët, sipas tij kanë nevojë për psikolog.
“Kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë, kjo paralajmërohet se do të ndodh kudo, po në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Nuk ka dalur të brohorasë flakët mbi institucionet. Nuk ka dalë të himnizojë gurin, drurin, hurin e një mase kapuçionës të zinj të maskuar pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë”, tha Rama në një takim me efektivë policie të hënën.
“Po ka vetëm qenie të verbra. Njerëz pa shkollë. Njerëz që nuk dinë as nga vijnë as ku shkojnë. Viktima të shumëçkaje të cilët adhurojnë këtë. Adhurojnë molotovin. Adhurojnë ato llastiqet me vidma dhe me saçme që godasin kafkat e policëve”, shtoi.
Rama theksoi se protestuesit “adhurojnë rrëmujën dhe kaosin dhe pastaj iu turren dyqaneve”.
“Si mund të përkrahet, si mund të adhurohet kjo masë e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djem që vijnë nga periferia për të shkatërruar qendrën”.
Duke iu folur policëve, ai theksoi se ata po sulmohen edhe nga mediat.
“Të gjithë ju në uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është absolutisht rrëqethëse”, deklaroi kryeministri.
Studentët në Shqipëri janë duke protestuar që nga e marta e javës së kaluar.
Ata po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit qeveritar. Por, kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
Protestat e dhunshme të studentëve vijnë pas disa muajsh demonstratash paqësore, të cilat kundërshtonin ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.









