Fetah Paçarizi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilit pas rinumërimit të pjesshëm te votave iu hoqën afër 6 mijë vota, ka thënë se “nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Paçarizi që mori vëmendjen e opinionit pas fillimit të procesit të rinumërimit të votave, ka theksuar se “ajo që po ndodh gjatë rinumërimit të votave nga KQZ është serioze dhe shqetësuese”.

“Kjo situatë ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e numërimit dhe rinumërimit dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, shtoi Paçarizi, i cili i prin listës së kandidatëve me minus vota.

Ai potencon se “është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, në mënyrë që të garantohet transparenca, barazia dhe respektimi i vullnetit real të qytetarëve”.

Prokuroria e Shtetit, shton ai, “ka detyrim ligjor dhe moral të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale”.

“Njëkohësisht, KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie”.

Ai thekson se kërkon “transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”.