Ushtruesja e Detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se kërkesa për kthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është tërheqje prej tij, por, sipas saj, qëllimi është që të hiqet çdo mëdyshje.
Të enjten, PDK-ja i kërkoi Presidentes Justina Shiroka-Pula, që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim, ndonëse kishin kërkuar me ngulm miratimin e tij në atë formë. Menjëherë pas kërkesës së PDK-së, e para e vendit e ktheu në Kuvend për rishqyrtim.
Çitaku shprehet e bindur se “Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!”.
“Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, shkroi ajo në Facebook.
U.D e Kryetares së PDK-së theksoi se e kupton shqetësimin e atyre që e kanë mbështetur sinqerisht këtë ligj dhe tha se i mirëpret kritikat e bazuara, por theksoi se nuk janë tërhequr nga ligji.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam”, potencoi.
Kërkesa për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim, Çitaku tha se e bënë për t’i dhënë edhe katër javë kohë për t’i dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura.
“Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, shtoi.
Për PDK-në dhe brenda PDK-së, ajo theksoi se “nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur”.
“Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, tha Çitaku.









