“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke tentuar që t’ia lë fajin opozitës për çështjen e Presidentit, kur kanë mbetur edhe 14 ditë afat kushtetues për ta zgjidhur këtë çështje.
Në një prononcim për gazetarët të mërkurën, Konjufca tha se është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura për President nëse opozita e propozon një emër të pranueshëm për Vetëvendosjen.
“Në momentin që opozita e qet një kandidat të përbashkët, unë menjëherë do ta bëja këtë punë, gjëja e parë që do ta bëja. Shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë Presidentin e vetë se sa ai ta ketë emrin Glauk Konjufca”, tha Konjufca.
Fajin pse Kosova nuk ka akoma President, kryediplomati kosovar ia hodhi opozitës, të cilët theksoi se nuk kanë propozuar emra.
“Unë qysh e kam parë deri më tani, të dy subjektet politike nuk e kanë qenë të vullnetshme me propozu emra. Kjo është edhe arsyeja pse jemi këtu ku jemi. Nuk po më duket që deri tash kemi gjetur një zgjidhje. Natyrisht duhet të besojmë në zgjidhje deri në fund”, shtoi ai.
Ai paralajmëroi edhe se Kryeministri Albin Kurti do t’i ftojë për takim edhe njëherë partitë opozitare për Presidentin.
“Kryeministri besoj që do t’i drejtohet edhe njëherë partive politike. LDK-ja ma ka lënë përshtypjen që do të takohej, jo veç edhe një herë nëse ka nevojë, por edhe më shumë nëse ka nevojë dhe ta gjejmë një zgjidhje për Presidentin”.
Konjufca potencoi se “në momentin që opozita e gjen një President të përbashkët dhe e propozon para nesh, e ky nuk do të thotë që ky të ishte propozim i krejt opozitës, por së paku i dy prej partive politike, mendoj që do të isha shumë i lumtur të tërhiqja kandidaturën time”.
“Por, nëse kjo nuk ndodh dhe tërhiqet kandidatura nuk e zgjidh problemin. Këtu është çështja”, konsideron ai.








