Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka reaguar përmes një komunikate për media pas akuzave të bëra nga një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili në konferencë për media pretendoi se njehsorët e energjisë nuk llogarisin saktë shpenzimet e qytetarëve.

Në reagimin e saj, KEDS thekson se matësit e energjisë janë të kalibruar dhe të sinkronizuar me kohën zyrtare që në momentin e instalimit, duke garantuar saktësi maksimale në matje.

“Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të ZRRE-së. Sinkronizimi i orës në njehsorë realizohet me precizion të lartë, duke siguruar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë”, thuhet në reagim.

KEDS pranon se në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla për arsye teknike, por thekson se këto nuk ndikojnë në kohëzgjatjen e tarifave të larta dhe të ulëta, e cila sipas tyre mbetet e saktë.

Tutje, kompania bën të ditur se reagon ndaj çdo ankese të konsumatorëve, duke dërguar ekipet teknike në terren për verifikim dhe zgjidhje të shpejtë të problemeve eventuale.

Në fund, KEDS u bën thirrje partive politike dhe palëve të tjera që të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara, duke theksuar se pretendimet e tilla nuk përkojnë me realitetin.