Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sipas raportimeve të mediave, janë në një takim të ri këtë të mërkurë, pas atij që zhvilluan mbrëmjen e së martës e i cili nuk pati ndonjë rezultat.

Dy partitë nuk kanë dhënë detaje se kush është pjesëmarrës në takimin e ri që po mbahet mes dy liderëve. VOX Kosovës, zyrtarë të këtyre dy partive nuk i dhanë detaje mbi formatin.

Të martën e 4 gushtit, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku u takuan në ambientet e Kuvendit të Kosovës, i cili s’pati ndonjë zhvillim të ri.

Kryeministri në detyrë nuk përjashtoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”, ka deklaruar Kurti pas takimit që pati me Abdixhikun të martën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës në anën tjetër kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takim.