Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë përsëri se në punimin e vitit 2012, ku kriminalizohet UÇK-ja, nuk e ka shkruar atë pjesë, por vetëm kapitullin e 3, ku trajtohet depërtimi i Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Raportimet për këtë rast, Basha i quan “shpifje”, derisa ka fyer edhe gazetarët.

“Është e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur, andaj ndjej përgjegjësi të sqarojë për akuzat që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 kam dorëzuar hulumtim për publikim, atë kohë kam bërë hulumtim për deportimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, kam dërguar hulumtim vetëm për këtë temë. Këtu përfundon përgjegjësia ime për këtë temë”, tha Basha në një konferencë për media.

Ai insistoi se “nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë dhe asnjë fjali nga kapitujt e tjerë”. “Këto akuza, dhe lidhjet e mia me raportin e Dick Martyt janë shumë të ulëta dhe rënduese për mua, por edhe për qytetarët e Kosovës, sepse sa për dijeninë tuaj unë në vitin 2010 kam publikuar shkrim të cilin do ta shpërndaj edhe me ju, ku kam bërë thirrje që të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë si popull edhe si vend”.

Ai potencoi se si Kryetar Kuvendi e si çdo qytetar, “e kam të shenjtë luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri”.

“Unë i përulem secilit që ka kontribuar në luftë e paqe. Kurrë në jetën time nuk është shkruar e as nuk gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë dhe distancohem nga gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.

Pasi që tentoi të shfajësohej, Basha sulmoi gazetarët.

“Prej 6 vitesh, portalet dhe të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar së më ofenduari në mënyrat më të ulëta, duke përdorur edhe burime nga gazeta të Beogradit. Mos harroni se keni të njëjtat burime që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës dhe për krijimin e Listës Serbe”.