Në ambientet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë ka pasur përplasje në mes të protestuesve dhe Policisë. Siç raportojnë mediat në Shqipëri, tre persona janë arrestuar, ndër ta edhe Dritan Goxhaj, ai që lexoi kërkesat e protestuesve në Tiranë para disa ditësh.
Disa protestues kanë tentuar që të bllokojnë hyrjet e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas pamjeve të publikuara nga mediat atje, protestuesit kanë goditur me vezë dhe shishe uji disa deputetë të cilët po dilnin nga seanca plenare.
Në disa raste, shihet se ka pasur edhe shtyrje fizike mes protestuesve dhe policëve. Pas kësaj, Policia ka kërkuar përforcime dhe pas mbërritjes së tyre është hapur rruga dhe është krijuar kordoni i sigurisë.
Kjo ngjarje është në vazhdën e protestave që janë duke u mbajtur në Shqipëri që rreth 30 ditë.
Protestat po mbahen çdo ditë nga ora 18:00.
Qytetarët e Shqipërisë po protestojnë për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinën e Vlorës.
Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.









