Kancelari gjerman Friedrich Merz është përplasur me lideren e AfD-së, Alice Weidel, në parlament, duke e cilësuar partinë e saj si një “forcë shkatërruese”, me një politikë migracioni që, sipas tij, përbën “spastrim etnik” ndaj punëtorëve të kualifikuar, raporton BBC.
Merz po i drejtohej Bundestagut pas fitores së thellë të partisë kundër emigracionit në landin lindor të Saksonisë-Anhalt, ku ajo fitoi pothuajse 44 për qind të votave, ndërsa konservatorët e kancelarit përgjysmuan rezultatin e tyre.
Weidel u tha deputetëve se votuesit kishin treguar se koalicioni i Merzit me qendrën e majtë ishte një dështim total dhe se koha e tij kishte përfunduar.
Merz iu kundërpërgjigj duke thënë se AfD-ja kishte dëmtuar interesat gjermane duke mbështetur Rusinë, ndërsa politika e saj për “remigrimin” do të prekte miliona njerëz.
Ende nuk është e qartë nëse partia do të jetë në gjendje të formojë qeverinë në Saksoninë-Anhalt apo jo, pasi i kanë munguar tri mandate për të siguruar shumicën absolute. Asnjë parti e së djathtës ekstreme nuk ka ardhur në pushtet në asnjërin prej 16 landeve të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa Merz ka pranuar se rezultati “tërmet” ka ndryshuar Gjermaninë, vazhdon shkrimi i BBC.
Suksesi i AfD-së është përshëndetur nga Presidenti Amerikan, Donald Trump, i cili tha se “Partia Populiste në Gjermani sapo pati një natë vërtet të madhe”, duke e lidhur fitoren me “rregullat dhe masat absolutisht të tmerrshme për emigracionin”.
AfD-ja në Saksoninë-Anhalt është cilësuar si “ekstremiste e krahut të djathtë” nga inteligjenca e brendshme gjermane, ndërsa partia ka premtuar një ofensivë për “dëbimin dhe remigrimin” që do të synonte emigrantët në mënyrë të parregullt, shkruan tutje BBC.
Trump kishte planifikuar të zhvillonte një bisedë telefonike me kancelarin gjerman të mërkurën, me rastin e 25-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, por zëdhënësi i qeverisë në Berlin tha se telefonata ishte shtyrë, pa dhënë arsye. Nuk është caktuar një datë e re.
I ndërprerë vazhdimisht nga deputetët e AfD-së, kancelari i tha Weidel-it se një në gjashtë punëtorë të kualifikuar ka prejardhje emigrante dhe se, nëse partia e saj do të zbatonte politikat e veta, ato do të përbënin “asgjë tjetër përveçse një spastrim etnik në profesionet e kualifikuara, bazuar në ngjyrën e lëkurës dhe prejardhjen”.
Ai tha se Qeveria e kuptonte se disa dëbime ishin të nevojshme, por se ajo bënte një dallim të kujdesshëm mes njerëzve që kontribuojnë në prosperitetin gjerman dhe atyre që nuk kanë qëndrim të përhershëm.
Ndërhyrjet e deputetëve të AfD-së u bënë aq të zhurmshme sa që, në një moment, kryetarja e Bundestagut, Julia Klockner, kërcënoi se do të fillonte të nxirrte njerëz nga salla.
“Nuk jemi në një fushë futbolli”, tha ajo.
Weidel tha se migrimi masiv kishte bërë që gjermanët të përballeshin çdo ditë me dhunë me thika dhe sulme në trena dhe në stacione, por Merz paralajmëroi se planet e AfD-së do të nënkuptonin se asnjë shtëpi të moshuarish, spital apo restorant nuk do të mund të funksiononte.
Liderja e partisë kryesore opozitare në Bundestag, Weidel e hapi seancën duke i thënë Merzit se kristiandemokratët e tij ishin “pulverizuar” në Saksoninë-Anhalt, pasi kishin fituar vetëm 17.2 për qind të votave. Ajo akuzoi gjithashtu Qeverinë e tij, në koalicion me socialdemokratët, se po e çonte Gjermaninë drejt falimentimit.
Merz tha se partia e saj nuk kishte fituar shumicën absolute në Saksoninë-Anhalt dhe se nuk do ta arrinte një të tillë as në Gjermani.
“Ju jeni dhe do të mbeteni një forcë shkatërruese”, tha ai, duke e akuzuar partinë se kishte mashtruar votuesit duke thënë para zgjedhjeve se kandidati i saj për kryeministër të landit, Ulrich Siegmund, do të qeveriste vetëm nëse do të fitonte shumicën, por vetëm disa orë pas votimit vendosi të kërkonte një shumicë përmes bashkëpunimit me një parti tjetër.
AfD-ja i ka hapur derën bashkëpunimit me një parti tjetër, ndoshta me partinë populiste të krahut të majtë BSW, për sa kohë që ajo mbështet Siegmundin për postin e kryeministrit të landit.
Numri dy i Siegmundit në Saksoninë-Anhalt madje ka sugjeruar se CDU-ja e Merzit mund të bashkëpunojë me partinë e tij, nëse ajo heq dorë nga e ashtuquajtura “Brandmauer” (muri mbrojtës), politika sipas së cilës asnjë parti kryesore nuk bashkëpunon me të djathtën ekstreme.









